Menuja në krye të faqes (në pajisjet me ekran të vogël shfaqet me këtë simbol në të majtë ☰) është mënyra kryesore për të lundruar në nënfaqet/hapësirat e ndryshme që "Tinguj & Vargje" përmban.
KREU & Rreth Nesh janë hapësirar hyrëse, mikpritëse të faqes. Këtu gjendet një përshkrim i shkurtër mbi punën tonë dhe të dhëna të përmbledhura mbi nënndarjet kryesore për këngët.
Pesë nënndarjet pasardhëse, Qytetare, Shumëzërëshe, Njëzërëshe të Vjetra, Ninulla, Vajtime u kushtohen llojeve të këngëve. Edhe këtu duhet thënë se këto nuk janë të vetmet dhe ndaj tyre ka shumë nënlloje. Megjithatë, këto pesë trajta mbartin pjesën më të madhe të tingujve tanë.
Tri nënndarjet e tjera, #mërgimi, #atdhedashëse dhe #dasmash, u kushtohen përkatësisht këngëve me temë kryesore mërgimin, atdhedashurinë dhe këngëve që këndohen në dasma, veçanërisht ahengjet.
Nënndarja e fundit, Shtojca, paraqet:
qëndrimin tonë ndaj Inteligjencës Artificiale (Mbi IA-në);
udhëzuesin (nënfaqen ku ndodheni tani);
një paraqitje të përmbledhur mbi mënyrën se si e ruajmë njëtrajtshmërinë në shkrimin e vargjeve nga kohë, krahina e tradita të ndryshme;
disa shkresa ligjore që kanë të bëjnë me përdorimin e faqes, politikën e privatësisë etj.;
një hapësirë për pyetjet që na bëhen shpesh prej jush, të cilave u kemi dhënë përgjigje (PHSH);
dhe fletëkërkesa për t'u lidhur me faqen "Tinguj & Vargje".
Në skajin e djathtë të faqes gjendet hapësira e kërkimit (⌕), që ju mundëson të kërkoni për tituj këngësh, pjesë nga fjalët e këngëve etj., pra, me çdo fjalë kyçe të mundshme që mund të gjendet në faqe. Ju këshillojmë të bëni kujdes me drejtshkrimin ose krahinorizmat që mund të kenë këngë të caktuara, pasi hapësira e kërkimit është e ndjeshme ndaj ndryshimeve të vogla (p.sh. e në vend të ë-së). Mund të kërkoni dy-tri herë nëse nuk jeni fort të sigurt mbi mënyrën se si shkruhet një fjalë.
Shënim. Ju kërkojmë ndjesë që gjuha që nënfaqja e kërkimit përdor për të organizuar përfundimet është gjuha angleze, në pamundësi të ofrimit të një algoritmi kërkimi në gjuhën shqipe. Jemi duke punuar për ta ndryshuar këtë gjë. Ju falënderojmë paraprakisht për mirëkuptimin e treguar.
✪
Shpesh na duhet të gjejmë një baraspeshë midis të botuarit e të dhënave dhe të qenit të sigurt për vërtetësinë e tyre. Këtu bëhet fjalë për këngë që shpesh nuk kanë autor, historitë e të cilave kanë mbërritur pa u shkruar e botuar në mënyrë zyrtare. Ndodh të jetë gati e pamundur të gjenden burime serioze dhe të besueshme – veçanërisht të digjitalizuara – mbi të dhënat që paraqesim në faqe. "Tinguj & Vargje" e ka zgjidhur këtë çështje duke vendosur në përdorim simbolin ✪. Sa herë që shihni këtë simbol përbri të dhënave, do të thotë që burimet janë të besueshme dhe mjaftueshëm të sakta. Ju lutemi të mbani parasysh se nuk do të thotë kurrsesi që nuk jemi kujdesur për të dhënat që nuk e kanë këtë simbol. Kjo vjen nga pamundësia për gjetjen e burimeve në çastin e botimit, dhe kurrsesi nga pakujdesia apo mungesa e vëmendjes.
✼ ✼ ✼
Nëse i shihni këto tri simbole pranë, siç duken më sipër, shtypini (klikoni mbi to) për të parë të dhëna të caktuara shtesë mbi këngën përkatëse, si p.sh.: mbi një veçori artistike të këngës, mbi një efekt të caktuar që krion etj. Gjithnjë, shkurtimisht.
Titulli kryesor i këngës shfaqet me shkronja të mëdha, në krye të faqes përkatëse.
Nëse kënga ndodh që njihet me disa tituj, atëherë titujt e tjerë vendosen mes kllapash rrethore, nën titullin kryesor, me shkronja më të vogla.
Ne përdorim katër lloje mënyrash për të treguar kohën e shkrimit të këngës, nga më e sakta te më pak e sakta:
shkruar më: 1940 (kur dihet me përpikmëri viti i saktë, ose ndonjëherë edhe data e plotë e saktë);
shkruar në: vitet 1930 (kur dihet afërsisht dekada e shkrimit);
i përkasin: shek. XIX (kur dihet vetëm përafërsisht shekulli kur janë shkruar vargjet/tingujt e këngës);
u përkasin: shekujve (për këngë të cilave vështirë t'u gjendet edhe shekulli i krijimit; p.sh., shumë këngë shumëzërëshe (iso-polifonike) nuk kanë kompozitorë, pasi të kënduarit iso-polifonik është aq i vjetër sa vështirë të përcaktohet edhe një shekull i saktë për një këngë të caktuar).
Nën çdo faqe kënge, #tags shënojnë cilësi të caktuara. P.sh., një këngë mund të ketë këto cilësi: #qytetare, dhe #shkodrane. Këto tags-a nuk janë aspak shteruese dhe pasurohen vazhdimisht, siç ne e shohim të arsyeshme. Një nga arsyet kryesore për krijimin e një tag-u është që duhet të ketë një numër të konsiderueshëm këngësh me atë cilësi të caktuar, sepse përndryshe nuk do të sillte dobi. Na duhet të baraspeshojmë pastërtinë pamore me thellësinë përshkruese të tags-ave.
Motërzimet janë variante të këngëve popullore. Duke qenë se këngë të tilla shpesh udhëtojnë e mbijetojnë në gojën e popullit, shfaqen në variante disi të ndryshme nga njëra-tjetra (diku ndryshon tek-tuk një fjalë, ose dy-tri vargje, në disa raste, edhe më tepër; diku shtohen a hiqen vargje). Këtu variante me ndryshime të vogla nga njëra tjetrën, quhen motërzime. Në këtë faqe, shpesh do të shihni "Motërzimi i parë", pastaj "Motërzimi i dytë" etj., pasi ne dëshirojmë ta paraqesim çdo motërzim kryesor me bukurinë e vet.
1. Në shumicën e rasteve, në fund të fjalëve të këngës gjendet një shënim drejtshkrimor, i cili e ndihmon lexuesin të dijë ta ndajë trajtën krahinore të një fjale a shprehjeje nga trajta drejtshkrimore (standarde). Më poshtë një shembull:
Shënim (drejtshkrimi). Është ruajtur e folmja toske për të mos prekur vlerën artistike të këngës. Për dijeninë e lexuesit, trajtat drejtshkrimore të fjalëve do të ishin: dritë i japin (jo i japinë), vendit (jo vëndit), u hodhën (jo u hodhënë), veshur (jo veshurë), fustan (jo fustanë), të kujtohen (jo të kujtohenë).Fjalët a shprehjet e marra nga kënga, si dhe trajtat e tyre drejtshkrimore, do t'i shihni të shkruara me shkronja të pjerrëta (Rregullat e pikësimit, 2002, § 181).
Ndryshimet nga trajta krahinore në atë drejtshkrimore do t'i shihni të nënvizuara, për t'i vënë në pah nga ana pamore.
2. Përveç shënimeve drejtshkrimore, mund të shihni edhe sqarime mbi fjalë apo shprehje të caktuara në këngë, për arsye nga më të ndryshmet, si për shembull: për emra vendesh, emra të përveçëm me rëndësi për këngën, ngatërresa që mund të jenë krijuar përgjatë historisë (ose që krijohen lehtësisht mes fjalëve) etj. Qëllimi i këtyre është t'ju ndihmojnë ta njihni këngën sa më mirë, duke mënjanuar keqkuptimet e mundshme. Më poshtë është dhënë një shembull i një sqarimi të këtillë:
* Sqarim. Moreja (shqiptohet Moréja) është Peloponezi i sotëm i Greqisë. Pra, nuk është as pasthirrmë (more djalë!), as emër njeriu. Emri shqiptar i hapësirës së Peloponezit në Greqinë e sotme është More (Moreja, i/e Moresë, Morenë).Siç shihet, krahas sqarimeve të tilla mund të gjeni edhe shenja pikësimi (yllthe (*) ose numra tregues (¹)), që ju drejtojnë te vendndodhja e fjalës a shprehjes në vargun e këngës.
3. Në fund të fjalëve të këngës mund të shihni edhe fjalorthë shpjegues, zakonisht për fjalë disi të vjetra ose që përdoren rrallë, si dhe për figura të caktuara mitologjike apo që kanë të bëjnë në tërësi me folklorin tonë. Renditja e fjalëve nuk bëhet sipas alfabetit, por sipas radhës në të cilën shfaqen në këngë. Kjo zgjedhje është bërë për të lehtësuar leximin dhe punën tuaj. Më poshtë një shembull i pjesshëm:
Fjalorth.Secila fjalë a shprehje ka gjithnjë përbri treguesin e vet, i cili ju drejton në vendndodhja e kësaj fjale a shprehjeje në vargun e këngës.
Shpesh, kur këngët këndohen së bashku në kolazhe apo potpuri, në fund të njërës prej këngëve do të shihni një buton, që ju sugjeron të ndiqni këngën pasardhëse.
Butoni zakonisht lexon: "Vazhdoni me këngën [Titulli i Këngës[".
drejtshkr. (drejtshkrimi/drejtshkruar)
Ky shkurtim zakonisht gjendet pranë fjalëve krahinore ose të shkruara jo sipas drejtshkrimit nëpër këngë të caktuara. P.sh., në një këngë mund të shihni fjalën vëndi dhe përkrah, në kllapa (drejtshkr. vendi). Kjo bëhet për ta qartësuar trajtën krahinore nga ajo drejtshkrimore, në mënyrë që të mos i ngatërroni me njëra-tjetrën.
lex. (lexohet)
Ky shkurtim zakonisht gjendet pranë fjalëve që mund të kenë shqiptimi jo shumë të zakonshme ose lehtësisht të ngatërrueshme. Në fjalorth, përpara shpjegimit të fjalës, jepet edhe mënyra se si fjala lexohet, me ndihmën e theksit të mprehtë (´). P.sh., dylbe (lex. dylbé).
fig. (kuptim i figurshëm)
Ky shkurtim gjendet pranë shpjegimeve të fjalëve të përdorura në vargjet e këngëve. P.sh., te njëra këngë shihet fjala "bejkë". Te shënimet shpjegohet kuptimi, pra, bejkë: dele e bardhë, dhe pastaj shkruhet fig. vajzë e hijshme. Pra, kuptimi i parë i fjalës është "dele e bardhë", por përdoret me kuptim të figurshëm për një vajzë të re, të hijshme. Kështu, lexuesi i ka të qarta të dyja kuptimet e fjalës, në mënyrë që ta njohë e ta përdorë – nëse vjen rasti – në mënyrë të plotë e të saktë.
shpr. fraz. (shprehje frazeologjike)
Ky shkurtim tregon që vargu ose fraza përkatëse është shprehje frazeologjike në gjuhën shqipe.
këtu: (me kuptimin e këtushëm)
Ky shkurtim gjendet thuajse përherë pranë shpjegimeve të kuptimeve të fjalëve të ndryshme. Siç dihet, një fjalë mund të ketë disa kuptime (tre, katër, apo dhe më tepër), shpeshherë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Për të mos u hapërdarë e për të mos u zgjatur shumë, kur ne e shohim të arsyeshme, juve ju jepet vetëm kuptimi me të cilin fjala është përdorur në vargjet e këngës. Nëse e shohim të arsyeshme për t'ju dhënë disa kuptime (zakonisht për të mënjanuar pështjellimet apo keqpërdorimet e fjalës), fjala "këtu" do të shfaqet përsëri pranë atij kuptimi me të cilin fjala që shpjegohet është përdorur në vargjet e këngës.
p.sh.
për shembull
d.m.th.
domethënë
etj.
e të tjerë
b.f.
bie fjala
lat.
latinisht (shpesh përdoret në faqe për emërtimet e bimëve të caktuara)
Për informacion mbi përdorimin e faqes dhe rregullat bazë që lidhen me të, mund të shihni Parimet e përgjithshme të përdorimit të faqes.