I dashur lexues,
Sot jetojmë në kohë pështjelluese, të turbullta, ku arti dhe në veçanti, kënga, është përfshirë në një tërkuzë ku vështirë të njihet ç'është njerëzore dhe ç'është produkt i Inteligjencës Artificiale (IA). Përveç prejardhjes vendore dhe kohore të këngës, sot duhet të merremi edhe me prejardhjen qenësore, pra, nga ç'lloj qenieje arti vjen.
Puna që ne bëjmë për mbledhjen e të dhënave mbi këngët e vallet shqiptare është krejtësisht e kundërta e asaj që inteligjenca artificiale bën. Janë dy filozofi diametrikisht të ndryshme nga njëra tjetra.
Gjedhet e Mëdha Gjuhësore (GjMGj), si ChatGPT, Gemini etj., kanë në thelb nxjerren e sasive të mëdha të informacionit sa më shpejt të jetë e mundur, pak rëndësi ka saktësia. Nuk do të hyjmë në thellësi të problemeve qoftë ligjore, logjike, apo etike që GjMGj-të kanë me saktësinë, të drejtat e autorit etj. Ajo që vlen të thuhet është se gjatë mbledhjes së këngëve, ne kujdesemi jashtë mase që çdo e dhënë mbi to të jetë e saktë, e plotë dhe gjithëpërfshirëse. P.sh., ne tregohemi të kujdesshëm për të përmendur njerëz të rëndësishëm në kultivimin e kësaj apo asaj kënge, për t'i paraqitur lexuesit shënime të caktuara në lidhje me prejardhjen e këngës, mbi çështje gjuhësore (si p.sh. drejtshkrimi), për të qartësuar pështjellime të caktuara (p.sh., kur një këngë ka prejardhje të paqartë), e kështu me rradhë. Në fund të gjithë këtyre proceseve, jeni ju që gjithashtu ndihmoni në saktësimin dhe ruajtjen e këtyre vlerave kombëtare, duke dhënë mendimin tuaj mbi çështje të ndryshme, duke na tërhequr vëmendje ndaj gabimeve, apo qoftë edhe duke na dhënë dije shtesë, të cilat nuk kemi mundur t'i gjejmë. Pra, puna jonë është e ngadaltë, e kujdesshme, e plotë dhe mbi të gjitha, njerëzore. Është punë që kryhet me përkushtim të jashtëzakonshëm nga bashkësia e gjithë njerëzve që punojnë për faqen dhe për Besëlidhjen në tërësi (organizata mëmë e kësaj faqeje). Këta njerëz nuk punojnë për fitim, por për hir të dashurisë që kanë për artin, kulturën dhe për shpirtin shqiptar.
"Tinguj & Vargje" nuk përdor Inteligjencë Artificiale në asnjë pjesë të faqes, me përjashtimin e vetëm të hartimit të shkresave ligjore, ku Inteligjenca Artificiale është konsultuar në mungesë të burimeve për bashkëpunim me ekspertë ligjorë. Kjo ju thuhet shprehimisht në dokumentet përkatëse. Askund tjetër nuk ka përmbajtje të gjeneruar me Inteligjencë Artificiale.
Kështu pra, ju kërkojmë ta respektoni këtë vendim dhe të mos e shpërdoroni mundin e jashtëzakonshëm që shkon për krijimin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të kësaj faqeje.
Përzemërisht,
Bashkësia e "Tinguj & Vargje". 𝄞