MBI PARIMET QË NDJEKIM PËR SHKRIMIN E VARGJEVE
& MBI RESPEKTIMIN E DREJTSHKRIMIT
TË GJUHËS SHQIPE
𝄞
𝄞
Mbiemrat e përbërë shkruhen gjithnjë bashkë, sado të gjatë të duken. Duke qenë se vargu popullor përdor kompozita shpesh tepër të gjata, duket sikur pjesët përbërëse duhen shkruar veç ose me vizë ndarëse. Nuk duhet vepruar kështu. Mbiemrat e përbërë shkruhen si një fjalë e vetme (pa vizë në mes): gërshetermisur, vetullngjalë, gojëmbël, belhollë etj.
Shënim. Të mbahet parasysh se nëse e para nga fjalët përbërëse të mbiemrit përfundon me ë dhe fjala pasardhëse fillon me zanore, atëherë ë-ja fundore e fjalës së parë bie, si p.sh.: gojë + ëmbël = gojëmbël, krahë + artë = krahartë etj.
Kur kemi të bëjmë me mbiemra të përbërë me disa pjesë, të lidhura me lidhëzat e/a midis tyre, përdoret viza lidhëse për çdo pjesë, sipas shembullit: sy-e-vetullzeza, gushë-e-faqebardha, gushë-e-llërë-e-gjibardhoshe (L. Poradeci, Kush ta fali bukurinë), buzë-e-faqekuqja etj.
Shënim 2. Në këto raste nuk kemi asnjëherë rënie të ë-së fundore, për shkak të pranisë së vizës lidhëse.
Me përjashtim të rasteve shumë të pakta kur vargjet janë lehtësisht të dëshmueshme nga puna e një tekstshkruesi, në gati 99% të rasteve, ne i shkruajmë vargjet e këngëve duke dëgjuar me kujdes, disa herë me rradhë, regjistrime të ndryshme të këngëve. Gjatë këtij procesi, na duhet të bëjmë disa zgjedhje gjuhësore mbi mënyrën e paraqitjes së fjalëve, për të ruajtur baraspeshën mes kuptueshmërisë, drejtshkrimit dhe moshumbjes së vlerave artistike të këngës.
Teksa çdo këngë trajtohet veçmas, duke marrë parasysh nevojat e saj përkatëse, "Tinguj & Vargje" mban disa "zakone gjuhësore" të caktuara që ne besojmë na ndihmojnë të ruajmë këtë baraspeshën e lartpërmendur.
"Tinguj & Vargje" përpiqet gjithnjë të gjejë një baraspeshë mes respektimit të normës gjuhësore dhe respektimit të së folmes dhe traditës gjuhësore prej të cilave këngët vijnë. Për këtë arsye, kemi krijuar këto parime të brendshme të përgjithshme:
Në përputhje me udhëzimet e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), titujt fillojnë me shkronjë të madhe dhe çdo fjalë pasardhëse shkruhet me shkronjë të vogël, përveç emrave të përveçëm, ose atyre të përgjithshëm që kanë forcë të madhe stilistike ose përdorim figurativ, p.sh., Për ty, Atdhe.
Tingujt fundorë (zakonisht pjesë e të folmeve jugore) nuk shkruhen në titull. P.sh., edhe pse kënga thotë Edhe gurët e sokakut për ty bënin-ë shiqajet, titulli do të shfaqet: Edhe gurët e sokakut për ty bënin shiqajet.
Në titull nuk shkruhen pasthirrmat që nuk janë pjesë integrale e vargut.
P.sh., nëse kënga thotë Pse më bëre moj të mejtonem-ë?, në titull pasthirrma bie: Pse më bëre të mejtonem? (Në këtë rast kishim edhe tingull fundor, pra sipas asaj që u tha më sipër, edhe ky bie në titull.)
Përjashtim bëjnë rastet kur pasthirrmat funksionojnë si apostrof, ose kur bartin peshë të madhe në varg. Këto lloje pasthirrmash shkruhen në titull.
P.sh., Moj e bukura sa s'ka! ose O ju malet e Skraparit!
Shenjat e pikësimit shkruhen në tituj, përveç pikës.
Në tituj vendosen vetëm pikëçuditjet dhe pikëpyetjet.
Në vargje, respektohen zakonisht të gjitha shenjat e pikësimit:
ligjërata e drejtë shkruhet si zakonisht, duke ndjekur rregullat drejtshkrimore;
kur kënga ka bashkëbisedim, përdoret viza e gjatë për të treguar ndryshimin e folësit.
Në përgjithësi, parapëlqejmë t'i paraqesim tingujt fundorë me anë të një vize ndarëse nga fjala, për të mos u larguar tepër nga drejtshkrimi, por njëkohësisht për të ruajtur vlerat e këngës.
P.sh., shumë këngë të toskërishtes kanë ë fundore që nuk gjendet në trajtat standarde të fjalëve: O ç’u thanë moj, ç’u thanë moj! // O ç’u thanë trëndafilat-ë!
Përjashtim bëjnë rastet kur dialekti i ndryshon edhe theksin fjalës, çka lejon shkrimin e tingujve të caktuar fundorë. P.sh., fjala bahçe në shumë krahina të jugut shqiptohet /bahçé/, duke na lejuar që kallëzoren, p.sh., ta shkruajmë me ë fundore, sipas shqiptimit, pa nevojë vize ndarëse: bahçenë (lexohet /bahçénë/) (në standard lexohet /báhçen/).
Përgjatë lakimit, ndodh që tinguj të caktuar të bien, si p.sh., mjekër-mjekra, thundër-thundra etj.
Ka këngë (sidomos të krahinave të jugut) që i ruajnë këta tinguj (të cilët në standard bien). Për të qëndruar sa më pranë shqiptimit të fjalëve në këngë, por edhe për të respektuar normën drejtshkrimore, tinguj të tillë do të paraqiten mes kllapash.
P.sh., mjek(ë)ra jote, thup(ë)rat etj.
Tingujt hundorë të gegërishtes paraqiten me anë të theksit rrethor (ˆ).
Cungimet, si zakonisht, paraqiten me anë të apostrofit: të du' (të dua), kam kry' (kam kryer); ose me anë të zanores ë, në disa raste të veçanta, si p.sh., të kam dashtë (të kam dashur), jam rritë (jam rritur) etj.
Tingujt lidhës paraqiten gjithnjë me vizë të dyfishtë ndarëse (para dhe pas tingullit), për të ruajtur drejtshkrimin dhe kuptimin e fjalës:
Se-j-unë për tynë-j-o moj përgjëronem-ë! (Pse më bëre të mejtonem?)
Kështu veprohet edhe për pasthirrmat: p.sh., trë-moj-ndelinës, ose si-o-ç e ke adenë (siç e ke adenë) etj.
Shënim. Edhe kur fjalët mes të cilave pasthirrma / tingulli lidhës futet kanë për vete vizë lidhëse, veprohet po njësoj, pa përdorur dy viza:
P.sh., seç i thonë njëri-moj-tjetrës (dhe jo seç i thonë njëri-moj--tjetrës).
Kështu veprohet edhe në rastet kur njëra fjalë ndërpritet në mes, futet tingulli lidhës dhe më pas një fjalë tjetër.
P.sh., Hajde, moj, merre fu-j-o, moj furkën, moj (Dardha rrumbullake)
Më sipër kemi fjalën furkën, që është ndërprerë në mes (fu-), pas saj tingullin lidhës j, dhe në fund pasthirrmën o. Shkruajmë thjesht fu-j-o moj furkën (dhe jo fu--j-o moj furkën).