TINGUJ & VARGJE · QYTETARE TË VITEVE '30
TINGUJ & VARGJE · QYTETARE TË VITEVE '30
──── ⋅ ✧ ⋅ ────
TINGUJT
Kristo Kono
⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯
KOHA
7/8 ose 4/4
⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯
VARGJET
L. Poradeci, 1933
⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯
LLOJI
12-rrokëshe
⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯
Kroi i fshatit tonë, ujë i kulluar
ç’na buron nga mali, dyke mërmëruar.
Kroi i fshatit tonë, ngjyrë ergjënd i lyer,
që nga rrëzë e malit, ç'na mburon rrëmbyer.
(2x, nga fillimi)
Venë e mbushin ujë vashat anembanë,
cipëzën me hoja lidhur mënjanë;
Cipëzën e bardhë, cipëzën e kuqe,
gushën si zëmbaku, buzët si burbuqe.
Kroi i fshatit t’onë, tetë sylynjarë,¹
nër tetë krahina qënke kroj i parë.
Venë e pinë ujë trimat anembanë,
takijen me lule, përmbi sy mënjanë.
Takijen e dlirë, takijen e nxirrë.
Buzën në të qeshur… më të psherëtirë…
Qënke një në botë, s’paskërke të dytë,
ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë.
Kroi i fshatit tonë, tetë sylynjarë,¹
nër tetë krahina qënke kroj i parë.
(2x)
Kroi i fshatit tonë, ujë, o i kulluar,
ç’na buron nga mali, dyke mërmëruar.
Kroi i fshatit tonë, ujë, o i kulluar...
Venë e mbushin ujë vashat anembanë
cipëzën me hoja lidhur mënjanë;
Cipëzën e bardhë, cipëzën e kuqe,
gushën si zëmbaku, buzët si burbuqe.
Qënke një në botë, s’paskërke të dytë,
ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë.
(2x, veç strofa e fundit)
SQARIME.
¹ sylynjar: grykë e kroit, lëfyt.SHËNIME (DREJTSHKRIMI).
Janë ruajtur vargjet siç qenë shkruar nga L. Poradeci.Këndon: Marie Kraja
Këndon: Tefta Tashko Koço
I
Kroi i fshatit t'onë, ujë i kulluar,
ç’na buron nga mali, dyke mërmëruar
Venë e mbushin ujë vashat anembanë
cipëzën me hoja lidhur mënjanë;
Cipëzën e bardhë, cipëzën e kuqe,
gushën si zëmbaku, buzët si burbuqe.
E si mbushin ujë, bubu ç’m’u ka hije,
ndaj kthehen prap me hap nusërije
ndezur yll i ballit si yll shenjtërie.
II
Kroi i fshatit t'onë, ngjyr’ ergjënd i lyer
që nga rrëz’ e malit ç’na buron rrëmbyer.
Venë e pinë ujë trimat anembanë
takijen me lule, përmbi sy mënjanë.
Takijen e dlirë, takijen e nxirrë
Buzën në të qeshur… më të psherëtirë…
Mbrëmave kur uji mërmëron nga-dalë,
vjen t’i thotë trimi vashës nj’a dy fjalë:
Vashëzën bujare që po vin në krua
Siç e përshëndeta, siç m’u turpërua
Papu ula kryet e shikova si grua
III
Kroi i fshatit t’onë, tetë sylynjarë
nër tetë krahina qënke kroj i parë
qënke një në botë, s’paskërke të dytë
ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë.
Kroi i fshatit t'onë, n’atë mal me fletë,
derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë
posi malli i zemrës mu në gji të shkretë
Derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë,
posi malli i vashës, që djeg në të fshehtë,
posi malli i trimit, që buçet përjetë,
obobo, si malli, që nuk vdes përjetë.