TINGUJ & VARGJE · QYTETARE BERATASE
TINGUJ & VARGJE · QYTETARE BERATASE
TINGUJT
beratas
⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯
KOHA
2/4
⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯
VARGJET
beratase
⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯
LLOJI
të përziera
⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯⎯
Asaman, o trëndafili çelës,*
ty bilbili po të këndon.
(2x)
Dhe vajza si lule e pranverës,
këngën tënde po dëgjon.
(2x)
Amani amani,
shokë mos më ngani.
Se më gëzoi xhani,
nga bukuri e saj.
Zemra seç më gëzoi,
kur ajo më shikoi.
Zemra m'u bë mal,
kur me mua u ndal.
Në një bahçe me zymbyla,
ka dalë vajza në jeshil.
(2x)
E veshur me rroba të bardha,
zëri i saj porsi bilbil.†
(2x)
Amani amani,
shokë mos më ngani.
Se më gëzoi xhani,
nga bukuri e saj.
Zemra seç më gëzoi,
kur ajo më shikoi.
Zemra m'u bë mal,
kur me mua u ndal.
SQARIME.
* Në disa raste vargu i parë gjendet i shkruar: asaman, o trëndafil i çelës, pra me kuptimin "trëndafil i më të mirëve". Megjithatë, në këtë formë nuk ka shumë kuptim, sepse fjala çelë do të thotë "pjesa më e mirë a më e zgjedhur e diçkaje". Pra, nëse kënga bënte fjalë për pjesën më të mirë, më të zgjedhur të trëndafilit, do të thonte "çela e trëndafilit", dhe jo "trëndafil i çelës". Pra, trajta e saktë e vargjeve është siç është shkruar më sipër, trëndafili çelës, d.m.th. trëndafil që çel përgjatë një periudhe. Kjo përputhet edhe me idenë e vazhdimësisë që shfaqet edhe në pjesë të tjera të këngës: trëndafili që çel, bilbili që i këndon trëndafilit, vajza që i dëgjon këngën bilbilit, pra janë veprime të vazhdueshme, jo të prera. † ka disa variante ku vargu "zëri i saj porsi bilbil" gjendet i shkruar si "zanë e hollë, porsi bilbil". Ky nuk duket të jetë variant aq autentik, pasi një krahasim i tillë, zanë e hollë porsi bilbil, është tepër i çuditshëm për këngët folklorike. Zanat thuajse asnjëherë nuk krahasohen me bilbilin, i cili i përket këngës, dashurisë etj. Sido qoftë e vërteta, ju si lexues jeni të lirë të gjykoni si e shihni të arsyeshme.Ka edhe një variant të fjalëve të këngës me tipare të gegërishtes, që shfaqet ngandonjëherë. Sigurisht që, kur bëhet fjalë për këngë qytetare, duke qenë se shpesh nuk ka as kompozitor, as tekstshkrues, është vështirë të caktohet një zanafillë plotësisht e qartë. Megjithatë, prejardhja e kësaj kënge cilësohet përgjithësisht qyteti i Beratit. Varianti i lartpërmendur në gegërishte duhet të ketë dalë përgjatë këndimit të këngës nga grupet shkodrane, sidomos për arsye se kompozitori shkodran, Çesk Zadeja, pati kryer një orkestrim të këngës në fjalë. Ndodh shpesh që për aryse edhe të mjeshtërisë së madhe të këtyre artistëve, këngët e orkestruara/aranzhuara nga kompozitorë shkodranë, të njihen me kalimin e kohës si "këngë qytetare shkodrane", duke e humbur cilësinë e kompozitorit.
Vlen të përmendet se sa u tha më sipër është vetëm për të krijuar një ide të përgjithshme mbi prejardhjen e këngës dhe mbi traditën muzikore nëpërmjet së cilës vjen. Në fund, kënga u takon gjithë shqiptarëve dhe mund të këndohet, padyshim, si të dëshirohet, pasi jo çdokush kërkon të ruajë traditën. Duhet treguar, megjithatë, kujdes dhe respekt ndaj përputhjes mes prejardhjes së këngës dhe të folmes. P.sh., nëse themi që një këngë vjen nga Shkodra dhe përdorim trajta foljore si "duke kënduar" në vend të "tuj këndue", kemi kryer gabim kategorie, sepse e folmja shkodrane nuk përdor këto trajta. Nëse themi që kënga është beratase dhe përdorim fjalë të së folmeve veriore, atëherë përsëri krijohet pështjellim. Pra, fjalët e këngës duhet të përshtaten me të folmen e krahinës nga e cila thuhet se vijnë.
Të njëjtët tinguj gjenden edhe në këngën arbëreshe me titull "Bilbili". Ka të ngjarë që këngët të kenë të njëjtën prejardhje, dhe teksa motërzimi arbëresh ka mbetur "i ngrirë në kohë", ai beratas ka marrë ndikimet e kohës. Lidhja mes tyre vihet re edhe përmes figurës së bilbilit, që gjendet në të dyja këngët, edhe pse varianti arbëresh është më i errët për sa u përket vargjeve.
Mund ta shihni këngën arbëreshe këtu.